Hoxhaj: Kurti krijon kriza me aleatë dhe më vonë i pranon ato që i refuzon

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është duke krijuar vazhdimisht kriza me aleatët, teksa kërkoi nga ai të sqarojë nëse ka ndryshuar vetëm protokolli i tavolinës ose nëse traktati i CEFTA-s mbetet i pandryshuar, ku UNMIK-u është ende palë.

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se propaganda e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti është ende duke vazhduar.

"Kryeministri Kurti vazhdimisht refuzon çështje dhe krijon kriza me aleatë, vetëm për t’i pranuar më vonë ato që i kishte refuzuar, pas presionit e sanksioneve që i bëhen, siç shihet me zbatimin e një marrëveshjeje të Brukselit, të cilës i është kundërvënë prej vitesh. Qeveria nuk duhet të mashtrojë opinionin publik—Kosova do të përfaqësohet me asteriks dhe Kurti duhet të sqarojë nëse ka ndryshuar vetëm protokolli i tavolinës apo nëse traktati i CEFTA-s mbetet i pandryshuar, ku UNMIK-u është ende palë. Propaganda vazhdon të jetë fusha më e suksesshme e kësaj qeverie”, shkroi Hoxhaj në një postim në “Facebook”.