Arrestohet 34-vjeçari në Ferizaj për tregti të ndaluar, i konfiskohen mbi 161 mijë euro
Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj kanë trajtuar një informatë për një person të dyshuar, i cili ka qenë edhe më parë i njohur për përfshirje në veprimtari penale.
Gjatë trajtimit të rastit, Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer kontrolle në shtëpinë e 34-vjeçarit, me inicialet B.M., transmeton Zeri.info.
Gjatë kontrollit të shtëpisë policia ka gjetur:
- 161.485 (njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e katërqind e tetëdhjetë e pesë) euro,
- 2320 (dymijë e treqind e njëzet) franga zvicerane,
- 2300 (dymijë e treqind) dollarë amerikanë,
- 80.850 (tetëdhjetëmijë e tetëqind e pesëdhjetë) dinarë maqedonas,
- 696 kilogramë mjaltë (produkt i dyshimtë pa prejardhje),
- 250 kilogramë fasule (pa prejardhje),
- Një pushkë e gjatë (pushkë ajrore),
- Një revole,
- Një veturë dhe
- Një telefon.
“Për rastin me mallin e kontrabandë (mjalti dhe fasulja) është ftuar për trajtim Njësia e Doganës së Kosovës.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti, nën dyshim për përfshirje në veprat penale: ‘Tregti e ndaluar’ dhe ‘Kontrabanda e mallrave’.
Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, me aktvendim nga prokurori kompetent, i dyshuari dërgohet në ndalim prej 48 orësh”, njofton Policia. /Zëri