Abazi: S’kisha dashur asnjë sekondë t’i takoj LVV-së

Deputeti i pavarur Haki Abazi deklaroi se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka prishur punë me deputetët e kësaj partie për të kërkuar vota nga Lista Serbe.

Në seancë plenare, ku është kërkuar nga PDK-ja debat parlamentar, pas publikimit të audioincizimeve mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Millan Radoiçiqit, Abazi tha se deputetët e partisë në pushtet nuk kanë fytyrë të kërkojnë vota.

“Nuk e di a më ka ndejt më mirë ndonjëherë përshkrimi - mbiemri i pavarur. Nuk kisha dashur për asnjë sekondë t’i takoj një grupi parlamentar siç është ky (Lëvizja Vetëvendosje), për të cilin kam thënë para dy viteve që janë pazaret e pista për të hapur pompat të benzinës për të futur familjarë në punë, për të futur njerëz të afërt nëpër Gjykata Kushtetuese, për t’i bërë anëtarë të bordeve e të drejtorëve për interesa të vogla të cilat LVV-ja ka kritikuar pushtetet e kaluara”, deklaroi Abazi.