Gashi kritikon ashpër LVV-në: Radoiçiqi vrau një polic të Kosovës dhe ju sot entuziazmoheni

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës ka shprehur shqetësim për situatën e tanishme të debatit publik dhe përfshirjen e figurave kriminale në Qeveri dhe Parlament.

Ai e ka cilësuar këtë si një zhvillim të rrezikshëm dhe të dëmshëm për vendin.

“Është për keqardhje se ku ka mbërritur debati publik në Kosovë. Ka mbërritur në pikën e degjenerimit të vet, ku diskutohet sa është i përfshirë terroristi Radoiçiq në Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës”, tha Gashi, duke shtuar se kjo situatë është “fatkeqësi për Kosovën” dhe “dëmton sakrificën e secilit qytetar të këtij vendi”.

Gashi gjithashtu akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për përfshirje në krim të organizuar, duke thënë se partia është “e zhytur deri në fyt me kriminelët si Radoiçiqi”.

Ai kritikoi ashpër mbështetjen që deputetët e LVV-së kanë treguar për këtë situatë, duke pyetur: “Çfarë përfaqësimi është ky? Çfarë përfaqësojnë këta deputetë kur kryetarja e Grupit të tyre Parlamentar vetëm akuzon, ndërsa këta entuziazmohen?”.

“Ky është tmerri i demokracisë në Kosovë, përfaqësimit në Kosovë. Çfarë përfaqësimi është ky, çfarë përfaqësojnë këta deputetë kur kryetarja e Grupit të tyre Parlamentar del akuzon para, mbrapa, djathtas, majtas pështynë në tëra anët dhe këta entuziazmohen. Kush po gëzohet për çka po gëzohet, po gëzoheni se kush është më tradhtar se tjetri, po gëzoheni se kush i ka shërbye Serbisë më shumë se tjetri, kujt po i duartrokitni?”, tha Gashi.

Gashi u shpreh se Radoiçiqi është një terrorist.

“Ai është një terrorist që ka kryer akt terrorist ndaj shtetit të Kosovës, ka vrarë një polic të Kosovës dhe ju sot dilni këtu pa pikën e turpit dhe mburreni”.

Në fund, Gashi kërkoi që Lëvizja Vetëvendosje të shpjegojë lidhjet e saj me kriminelët dhe të ndalë akuzat e pabaza ndaj të tjerëve:

“Nuk mund të koordinohesh me kriminelë dhe të akuzosh të tjerët kur vetë je i përfshirë”, tha Gashi.