Kusari-Lila: Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoiçiqit dhe dhuratat për fëmijët e tij nga zyrtarë e udhëheqës
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se audioincizimi që u publikua dje, ku ajo dëgjohet duke biseduar me Millan Radoiçiqin, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe të sanksionuarin e SHBA-së, është “fabrikim i plotë”.
Në seancën e Kuvendit, ajo ka paralajmëruar publikimin e disa fotove nga përurimi i shtëpisë së Radoiçiqit e dhurata që thotë se u janë bërë fëmijëve të tij nga zyrtarë e udhëheqës, raporton Express.
“Kjo çka ka dalë dje, është fabrikim i plotë. Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoiçiqit. Imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radoiçiqit nga zyrtarë e udhëheqës. Imagjinoni kur dalin kush e ka vizitu e kush ka pas biznese”, ka thënë Kusari-Lila.
Në bisedën e publikuar, Kusari-Lila flet me Radoiçiqin për Ligjin për pagën minimale. Për këtë çështje, ajo sërish ka drejtuar akuza ndaj PDK-së.
“Juve po ju them votimi në lexim të parë i Ligjit për pagën minimale ka ndodhë në maj të vitit 2022. Ju keni dalë jashtë, Lista Serbe ka hy brenda. Pyetja e vetme që ju kam ba Listës Serbe është pse jeni këtu”, ka thënë Kusari-Lila.
Duke folur për Radoiçiqin, Kusari ka thënë se ai s’ka shanse të kthehet më në Kosovë, përveç duarlidhur.
“A e dini ju që Slavko Simiq prej qershorit 2022 nuk është ul në këto ulëse, a e dini ju që Millan Radoiçiq me qeverinë ‘Kurti’ është i përndjekur prej INTERPOL-it, prej Kosovës edhe ai shancë s’ka të kthehet në Kosovë, asnjëherë më, vetëm duarlidhur”, ka thënë ajo.