Ambasadori britanik: Jam habitur me stilin e jetesës së shtrenjtë në Kosovë, duhet të luftohet pastrimi i parave

Rrjeti i Përbashkët i Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave (JMLINK) është lansuar të enjten në Prishtinë.

Me këtë rast ambasadori britanik Jonathan Hargreaves tha se është habitur me stilin e jetesës së shtrenjtë në Kosovës, për çka tha se është interesuar të dijë më shumë pse po ndodh një gjë e tillë.

Prandaj tha se institucionet duhet që të angazhohen në luftimin e pastrimit të parave, ngase pastrimi i parave mundëson që krimi të lulëzojë e kriminelët të jetojnë në luks.

“Është nder i madh të jem bashkë me ju në këtë ngjarje të lansimit. Ky moment shënon një zhvillim të rëndësishëm të luftimit dhe pastrimit të parave. Pastrimi i parave është diçka që ndodh nga rrugët e Prishtinës deri në rrugët e Londrës”.

“Pastrimi i parave mundëson krimin të lulëzoj dhe mundëson kriminelët të jetojnë në luks. Shkalla e pastrimit te parave në Britani është qindra miliarda. Çka është më e rëndësishme që kemi konstatuar që me JMLINK-në është bërë një sukses në parandalimin e krimit”.

“Jam habitur me stilin e jetesës së shtrenjtë në Kosovë, vetura të shtrenjta dhe kam pyetur se si ka mundësi të ndodhë kjo, nuk përputhet me të ardhurat dhe kjo është shenjë që duhet të hulumtohen këtë raste. Institucionet tuaja janë të gatshme të fillojnë me këtë sfidë. Britania është e gatshme të punojë dhe të mbështetë Kosovën në këtë drejtim. Kosova nga ky lansim do të dalë më e fortë”, ka thënë ai. /EO