Simiq: Me pëlqimin e Radoiçiqit kemi mbështetur kërkesat e Kusari-Lilës
Përfaqësuesi i Listës Serbe, Sllavko Simiq, pas publikimit të komunikimeve të Mimoza Kusari-Lilës me Millan Radoiçiqin, ka konfirmuar bashkëpunimin mes tyre.
Sipas Simiqit, kryekrimineli Radojçiq i kishte dhënë udhëzime për të mbështetur disa nisma ligjore të kërkuara nga Kusari-Lila, përfshirë ligjin për pagën minimale dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne si grup parlamentar kemi votuar pro ligjit për pagën minimale dhe kemi mbështetur emërimin e gjyqtarëve me udhëzim nga Radojçiq, të cilat na i kërkoi Mimoza Kusari-Lila”, ka deklaruar Simiq për Dukagjinin, duke shtuar se komunikimet mes tij dhe shefes së deputetëve të LVV-së kanë vazhduar edhe pas qershorit.
Përgjigja e plotë e Simiqit:
I nderuar Ermal, lidhur me pyetjen tuaj, përgjigjet i kam dhënë në deklaratën time, të cilën e kam shpërndarë mediave herën e parë kur afera “Zdravo” u shfaq në publikun e Kosovës.
Ajo që mund të them shtesë është se Mimoza Kusari nuk më ka përzënë kurrë nga zyra e saj, madje as në atë qershor, dhe unë posedoj prova se kemi qenë në kontat edhe pas kësaj. Sa i përket kërkesave që kemi pasur, edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, zotëri Radoiçiq, i ka thënë Mimozës t’i përcjellë shefit të saj, është më mira të kontaktoni atë, ose ndoshta do të keni mundësi që ai t’ju japë përgjigje për këtë pyetje, ose do ta merrni atë prej tij. Unë e di se si grup parlamentar kemi pasur udhëzim dhe pëlqim nga zotëri Radoiçiq për të mbështetur Ligjin për Pagën Minimale, dhe këtë si grup parlamentar e bëmë duke votuar PRO ligjit për pagën minimale në qershor, dhe kemi pasur udhëzim nga Radoiçiq për të mbështetur emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjë që na kërkoi Mimoza.
Faleminderit dhe ju përshëndes.
Sllavko Simiq