Abdixhiku: Për katër vjet, vendi mbeti në moçalin e njëjtë, të pështymave e paaftësisë qeverisëse

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka qenë kritik ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se vendi nuk mund të vazhdojë në rrugën e tanishme, sipas tij, katër vitet e fundit përveçse zhgënjyese, janë bërë edhe të rrezikshme.

Në një tubim konstituiv të Forumit të Këshilltarëve Lokalë të LDK-së, ai është shprehur se premtimet që u janë dhënë qytetarëve të vendit nuk janë mbajtur e realizuar nga ekzekutivi i drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Çdo premtim i dhënë nuk është mbajtur dhe çdo mundësi e krijuar ka përfunduar në izolim, në zbrazje e në vet zymtësi. Republika jonë sot është e izoluar dhe e sanksionuar, shtetin tonë sot e lëshojnë nga 173 kosovarë çdo ditë”, ka pohuar Abdixhiku.,

“Qytetarët tanë trajtohen vetëm si material paraelektoral, për katër vite i lënë në mëshirën e çmimeve të larta, pagat e ulëta e përballjeve të rënda në shëndetësi, arsim e me mundësi për jetë më të mirë. Popullit të Kosovës i është premtuar ndryshimi, përkujdesi, mirëqenia, zhvillimi, arsimi, drejtësia dhe shëndetësia e asgjë nuk ka ndodhur”.

“Katër vite më pasë ne vazhdojmë të mbesim në moçalin e njëjtë, të betejave të pështymave, të akuzave e ankimeve të paaftësisë të qeverisim për të nisë një projekt, për të përfunduar një projekt e madje për të lënë vetëm edhe një shenjë”, ka thënë Abdixhiku.