Kurti: Qeveria beson fuqishëm në demokraci e të drejtat e njeriut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe këshilltarja ligjore, Tea Blakaj, ka takuar sot përfaqësues nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë – YIHR, për të diskutuar rreth raportit të shoqërisë civile për të drejtat e njeriut 2023.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media njofton se në këtë takim kryeministri ka thënë se qeveria beson fuqishëm në demokraci e të drejtat e njeriut, si bazë për universalitet dhe barazi.

Tutje thuhet se në këtë bashkëbisedim, u vlerësua progresi i paraqitur si dhe u shprehën disa prej pikëpamjeve rreth pikave të caktuara të raportit.

"Qeveria konsideron qe kredibiliteti i raportit rritet kur rezultati deduktohet nga këndvështrimet shumëpalëshe e gjithëpërfshirja", thuhet në komunikatë.

Nga përfaqësuesit e YIHR, është ofruar raporti për komente, ndërkaq kryeministri Kurti vlerësoi qasjen profesionale të përfaqësuesve të shoqërisë civile e diskutim mëse të frytshëm në shumë tema.

Në fund të takimit, kryeministri theksoi se si Qeveri do të kemi prioritet promovimin, respektimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e pakicave në vendimet dhe punën e tonë për çdo ditë e në çdo vendim, sepse ne jemi të përkushtuar që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë dhe respektimi i tyre të bëhet plotësisht.