Përfundon seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, të dyshuarit deklarohen të pafajshëm

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt të mërkurën seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën dy të akuzuar, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, nuk pranuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit, shkruan Radio Evropa Lirë.

Gjykatësi i rastit konstatoi se me ligj ky veprim do të thotë se ata nuk e pranojnë fajësinë.

I akuzuari i tretë i pranishëm në sallën e gjyqit, Dushan Maksimoviq, u deklarua i pafajshëm.

Avokati i Spasojeviqit, Lubomir Pantoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se të akuzuarit kanë të drejtë ta pranojnë ose ta pranojnë pjesërisht fajësinë në një fazë të mëvonshme.

Seanca e së mërkurës nisi me leximin e emrave të të akuzuarve që ndodheshin në sallën e gjyqit, ndërkohë që prokurori lexoi aktakuzën.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre - Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq - janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.

Pas seancës së sotme, mbrojtja i ka 30 ditë kohë për të apeluar aktakuzën.

Në seancë nuk u përmend gjykimi në mungesë i të akuzuarve të tjerë.