Presidentja Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin Ukrainë - Evropë Juglindore në Dubrovnik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka udhëtuar në Dubrovnik për ta përfaqësuar Kosovën në Samitin Ukrainë - Evropë Juglindore.

Në këtë samit, presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri kroat Plenkoviq dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa do t’u bashkohet liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore në seancën plenare.

“Gjatë këtij samiti, pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën”, thuhet në njoftimin nga Presidenca.

Përveç pjesëmarrjes në seancën plenare, ku presidentja do të mbajë një fjalim, ajo do të zhvillojë takime edhe me homologët e saj. /Zëri