Lascikas: Lojtarët e Kosovës luajnë mirë vetëm në ekipet e tyre
Përfaqësuesja e Lituanisë është duke u përgatitur për duelin ndaj Kosovës më 12 tetor në Kaunas.
Por te Lituania janë të bindur se ndaj “Dardanëve” do të arrijnë rezultat pozitiv.
Kështu ka thënë Justas Lasickas, njëri prej futbollistëve më me përvojë te kjo përfaqësuese.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, 27-vjeçari Lasickas, ka 51 paraqitje dhe dy gola të shënuar.
Ai ka thënë se tifozët do t’i gëzojnë me fitore.
Te Lituania janë kthyer Gvidos Gineitis, Paulius Golubickas dhe Fedor Cernychs.
Por Lasickas ka theksuar se te Kosova ka lojtarë të nivelit të lartë.
Por ka shtuar se ata luajnë mirë vetëm me ekipet e tyre.
“Kur i sheh ekipet ku ata luajnë, mund të duket mbresëlënëse, por kjo nuk shfaqet gjithmonë në Përfaqësuese. Do t’i shikojmë dobësitë e tyre. Ende kemi kohë para ndeshjes. Stafi drejtues po bën punë të madhe. Nuk është kundërshtari i parë dhe as i fundit i vështirë me të cilin ne do të përballemi, por do të hyjmë në lojë dhe do të provojmë të fitojmë”, ka thënë ai të martën për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Lituanisë.
Lasickas ka kërkuar përkrahjen e tifozëve në Kaunas të shtunën, në ndeshjen që nis nga ora 15:00.
Lituania nga dy ndeshjet e para ka po aq humbje. U mposht 1:0 në shtëpi nga Qiproja, dhe 3:1 në udhëtim te Rumania.
“Shumë falënderime për njerëzit që vijnë në stadium. Mendoj se gjithmonë lëmë përshtypje të mira te ta dhe japim gjithçka nga vetja. Përkrahja e tifozëve është e rëndësishme për ne. Ne kemi detyrë të rëndësishme për të mos i dëshpëruar dhe për të luftuar që t’i kemi sërish në stadium herën e ardhshme”, ka deklaruar futbollisti i NK Olimpijas sllovene.