Hill: Kemi nevojë për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe qëndrimin amerikan lidhur me çështjen e Kosovës. Ai ka thënë se SHBA angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ambasadori Hill në një intervistë për “N1” ka folur edhe për rolin e tij në kohën e luftës në Kosovë dhe bisedimet e atëhershme me presidentin serb Slobodan Millosheviq si dhe ato që po zhvillohen tani në dialogun Kosovë-Serbi.
“Kur u ktheva në Serbi më shumë se 20 vjet më vonë, u habita që çështja mbeti po aq aktuale sa herën e fundit që u interesova për të. Ndërkohë kam punuar në shumë vende të tjera të botës, kam qenë në Lindjen e Mesme, në Azinë Lindore dhe kur kam parë se çështja e Kosovës është ende një burim i tensionit të madh…”.
“Pikëpamja ime personale dhe jam i lumtur të them se pajtohen me mua shumë vende, përfshirë BE-në, të cilat kanë marrë përsipër detyrën jo shumë të lehtë që të ndihmojnë dialogun, qëndrimi im personal është se ne kemi nevojë për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Që kufiri të mos jetë një kufi që ndan dy vende, por një kufi që lehtëson komunikimin. Është më e mira për të gjithë, përfshirë popullin e Kosovës dhe popullin e Serbisë”, tha ambasadori Hill, transmeton telegrafi.
Prandaj, Hill thotë se shpreson që procesi i udhëhequr nga Lajçak të vazhdojë.
“Shpresoj se do të mbizotërojë logjika e arritjes së normalizimit dhe zgjidhjes së problemeve të popullit në Kosovë. Njerëzit duhet të dinë se çfarë e ardhme i pret. Këtu nuk bëhet fjalë për politikë të lartë, por duhet shpjeguar popullit se si do të duket. A do të kenë spitale, a do të mund të studiojnë në gjuhën serbe. Njerëzit kanë të drejtë t’i dinë këto gjëra, këto janë çështje të rregulluara në kuadër të Asociacionit të komunave Serbe, unë dhe qeveria ime dëshirojmë që kjo të zbatohet. Unë nuk do t’ju jap një pikëpamje të Prishtinës, ju duhet të sillni një mysafir nga Prishtina për të folur për këtë, por mendoj se gjërat duhet të ecin përpara dhe dua të shtoj se autoritetet serbe kanë pasur një qasje shumë konstruktive në kuadër të dialogut dhe do të doja që kjo të vazhdojë”, tha ai.
Hill tha se pala serbe punoi shumë për të ndërtuar qasjen e duhur.
“Megjithatë, dua të theksoj edhe një herë – nëse më shqetësojnë disa gjëra, nuk e flas në televizion, por në një bisedë personale me njerëzit.
I pyetur nëse mund të krahasohet situata kur ai kanë negociuar me Millosheviqin – pasi ishte në ekipin e ambasadorit Richard Holbrook gjatë luftës në Kosovë – dhe se cili është ndryshimi midis kohës së Millosheviqit dhe Vuçiqit, Hill ka thënë se “ne nuk kemi pasur negociata me Millosheviqin, sepse ai ka refuzuar të flasë për atë çështje (luftën në Kosovë) dhe kjo ka qenë një problem i madh, prandaj nuk ka pasur përpjekje për ta zgjidhur atë situatë”.
“Sot, ka një përpjekje për të gjetur një lloj kompromisi, por ne ende nuk kemi arritur deri në atë. Natyrisht, kjo është një çështje problematike, sepse SHBA-të kanë një qëndrim tjetër nga Serbia, sepse e kanë njohur Kosovën. Por ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje dhe thelbi i kësaj është normalizimi dhe shpresoj se do të arrijmë ta arrijmë atë”, ka thënë Hill.