Hyrja në Merdar e mallrave nga Serbia: Përfitim apo vështirësi?
“Njerëzit vijnë dhe kërkojnë mallra nga Serbia, edhe pse nuk ka pasur për një vit. Mendoj se do të kthehen në rafte”, thotë Dragan Josifoviq, pronar i një prej dyqaneve më të mëdha në Graçanicë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës.
Një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zëvendësuar ndalimin e importit të mallrave nga Serbia me kontrolle të shtuara në Merdar, bizneset në jug të lumit Ibër e mirëpresin këtë veprim.
Ky tregtar e ka zëvendësuar mallin nga Serbia kryesisht me atë që vjen nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Turqia.
"Raftet janë plot, por gradualisht do të përpiqemi t’i kthejmë mallrat nga Serbia, pasi ato tradicionalisht kërkohen dhe blihen", shtoi Josifoviq.
Megjithatë, ai është i shqetësuar sepse vetëm pika kufitare Merdare është hapur për importin e mallrave nga Serbia, dhe, siç thotë ai, mund të krijohen radhë të gjata.
Kurse Jellena nga veriu i Kosovës, e cila merret me tregti tekstili, thotë se hapja e pikës kufitare në Merdar nuk ka asnjë rëndësi për të.
Ajo shpjegoi se kjo i rrit kostot, transporti zgjat më shumë dhe gjithashtu ka frikë se do të krijohen radhë të gjata.
Pika kufitare në Merdar e hapur për mallrat nga Serbia
Në pikën kufitare Merdar, vendimi i Qeverisë së Kosovës filloi të zbatohej rreth mesditës më 8 tetor, kur një kamion me mallra nga Serbia, i shoqëruar nga policia, u dërgua në terminalin doganor për një kontroll të detajuar.
Kontrolli i këtij kamioni zgjati rreth dy orë, por shoferi nuk pranoi të flasë për detajet për mediat.
Nga ana tjetër, Visar Rexhepi, shofer i një kompanie transporti nga Kosova që merret me importin e grurit, tha se kishte pritur me orë të tëra për kontrollin e mallrave që importon nga Serbia.
Sipas tij, më parë ky kontroll zgjaste gjysmë ore deri në një orë.
Qeveria e Kosovës më parë kishte njoftuar për kontrolle të detajuara të kamionëve me mallra nga Serbia, deri në mbërritjen e skanerëve.
“Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”, shkroi në Facebook, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Gjithashtu, u njoftua se hapja e pikave të tjera kufitare do të lejohet për të gjitha mallrat sapo skanerët të bëhen funksionalë në ato pika. Por, aktualisht nuk dihet kur do të ndodhë kjo.
Me skanerët, autoritetet kosovare synojnë të sigurojnë që mallrat që hyjnë nga Serbia të mos paraqesin "rrezik për sigurinë" e Kosovës.
Një ditë më parë, më 7 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti se masat nuk ishin ekonomike, por të sigurisë, dhe se situata e sigurisë nuk kishte ndryshuar, duke theksuar se po priten skanerët për të hapur pikat e kalimeve kufitare në veri të Kosovës për mallrat serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 7 tetor tha se vendimi i Prishtinës ishte i rëndësishëm për ekonominë serbe, por shtoi se priste nga autoritetet e Kosovës që "të bëjnë gjithçka" për ta penguar lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës që mallrat nga Serbia të mund të hyjnë pjesërisht e gëzoi shumë Bojan Rajkoviqin, pronar i një dyqani të vogël në fshatin Llapllasellë në komunën e Graçanicës.
"Shpresoj që biznesi të jetë shumë më i mirë, pasi kohët e fundit nuk ka pasur shumë punë. Jemi mësuar me (mallrat nga Serbia)", tha ai.
Produktet nga Serbia për vite me radhë kanë qenë ndër më të kërkuarat në tregun e Kosovës.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, Kosova importoi mallra nga Serbia me vlerë mbi 372 milionë euro, ndërsa në vitin 2023, kjo vlerë ishte afër 199 milionë euro.
Importi dhe eksporti mes Kosovës dhe Serbisë
Produktet nga Serbia, me vite, ishin ndër dominueset në tregun e Kosovës. Në vitin 2022, ky shtet eksportonte brenda një dite në Kosovë produkte në vlerë prej më shumë se një milion eurosh.
Tregtarët e vegjël blejnë mallra nga Serbia përmes distributorëve të autorizuar për Kosovën, dhe një prej tyre është kompania Elkos Group, në kuadër të së cilës funksionon dhe zinxhiri i dyqaneve të mëdha ETC.
Ramiz Kelmendi, pronari i këtij zinxhiri tregtar, shpjegoi për REL-in se disa konsumatorë janë mësuar me shijen e produkteve që vijnë nga Serbia, dhe shtoi se ato do të rikthehen menjëherë në rafte.
ETC-ja ka rrjet dyqanesh të mëdha të shtrirë në të gjithë Kosovën, përfshirë Graçanicën. Banorët e Mitrovicës së Veriut, gjithashtu, shpesh bëjnë blerje në dyqanet e këtij rrjeti që ndodhet në Mitrovicën e Jugut.
"Shtetasit serbë janë rritur me ato shije (mallrat nga Serbia), ata kanë gjetur mënyra për t'i importuar ato (pavarësisht ndalimit)", tha Kelmendi.
Ai beson se me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, manipulimet rreth importit do të kthehen në tregti të rregullt.
"Shtetasit do të vijnë për të blerë, si dhe disa tregtarë që operojnë në Mitrovicën e Veriut", shtoi Kelmendi.
Produktet nga Serbia, ndryshe nga pjesët e tjera të Kosovës, në komunat veriore mund të gjendeshin në disa dyqane, edhe pse ndalimi i importit ishte në fuqi.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me doganën, ka kryer një sërë operacionesh kundër kontrabandës së mallrave nga Serbia gjatë vitit e gjysmë të fundit, ndërsa rrugët alternative midis Kosovës dhe Serbisë janë kontrolluar rreptësisht.
Vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia Qeveria e Kosovës e mori në mes të korrikut 2023 për arsye "sigurie", pasi policia serbe arrestoi tre policë kosovarë.
Megjithëse, ndërkohë, policët kosovarë u liruan, ndalimi për importin e mallrave serbe mbeti në fuqi.
Një hap drejt zhbllokimit të marrëveshjes CEFTA
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të hequr ndalimin e importit të mallrave nga Serbia pasoi presionin nga Gjermania, e cila insistonte se me këtë dëmtohej Marrëveshja për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), si dhe Procesi i Berlinit.
Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit, një iniciativë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian (BE), mbahet më 14 tetor.
Kështu mendon edhe Nenad Gjuriq, këshilltar i presidentit të Dhomës së Tregtisë së Serbisë, i cili tha se vendimi që mallrat të kalojnë vetëm përmes pikës në Merdare është simbolik për kryeministrin e Kosovës.
"Ai në këtë mënyrë tregon se pjesa veriore e Kosovës ende nuk është e qëndrueshme, pasi për masën e ndalimit të importit dha arsye sigurie dhe jo ekonomike. Arsyeja ekonomike është krejtësisht e pajustifikueshme, sepse një pjesë e madhe e tregut të Kosovës varet nga importi i lëndëve të para dhe materialeve nga Serbia", tha Gjuriq.
Ai vlerësoi se Kurti dha një mesazh politik se veriu i Kosovës është ende i bllokuar për hyrjen e mallrave nga Serbia, pasi atje "nuk ka kontroll të plotë".
"Kurti dërgoi një mesazh politik se ai është ai që vendos kontrollin politik mbi të gjithë territorin e Kosovës," shtoi ai.
Gjuriq beson se ky është hapi i parë drejt zhbllokimit të funksionimit të marrëveshjes CEFTA.
"Për katër vjet, CEFTA është bllokuar. Ministrat duhet të bien dakord për të gjitha vendimet që janë negociuar deri tani në nivel teknik, por nuk kanë kaluar në këshillin ministror për të hyrë në fuqi," thotë Gjuriq.
Takimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s është planifikuar për 9 tetor në Beograd, ku pritet të miratohen vendimet e dakorduara.
Sa eksporton Kosova në vendet e CEFTA-s?
Nga viti 2019 e këndej, vlera e produkteve që Kosova ka eksportuar në shtetet anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), ka arritur në rreth 1.6 miliard euro. Përveç Kosovës, pjesë të CEFTA-s janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.
Bllokimi i CEFTA-s erdhi për shkak të ndalimit të importit të mallrave nga Serbia nga ana e Kosovës dhe mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në këtë iniciativë.
Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007, por përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Qeveria e Prishtinës ka kërkuar që kjo përfaqësim të ndryshojë, ndërsa Gjermania kohët e fundit ka ofruar një "zgjidhje" në këmbim të heqjes së ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, duke shtuar një yll pranë emrit të Kosovës, me një fusnotë që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht. /REL