Katër të arrestuar, sekuestrohet drogë me vlerë rreth 100 mijë euro në dy operacione policore
Policia e Kosovës të shtunën ka njoftuar për dy operacione policore ku janë arrestuar katër të dyshuar dhe janë konfiskuar dhjetëra kilogramë drogë. Operacionet u zhvilluan në tri rajone, atë të Prishtinës, të Mitrovicës së Jugut dhe Pejës.
Rasti i parë i koduar “Pritja”, sipas Policisë, është realizuar në katër lokacione të ndryshme i cili ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie prej mbi 25 kilogramë të llojit marijuanë si dhe arrestimin e tre të dyshuarve.
“Njësitet policore në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar edhe dy vetura dhe tre telefona celular. Vlera e substancës narkotike arrin shumën prej mbi 45 000 euro. Dyshohet se një pjesë e drogës kishte destinim tregun vendor përderisa pjesa tjetër tregun e jashtëm”, thuhet në njoftim.
Ndërsa rasti i dytë i koduar “Kristali 2” u arrestua një i dyshuar, dhe të sekuestrojë sasi kokaine prej mbi 1 kilogramë.
“Po ashtu në cilësi të provave materiale janë sekuestruar para të gatshme mbi 6800 euro, 1000 dollar amerikan dhe 3400 funte angleze. Vlera e drogës në këtë rast arrin shumën prej mbi 50 000 mijë euro”, vijon njoftimi.