I akuzoi kolegët për dorëheqje dhe përkrahu publikimin e skandalit në RTK, Albulena Mehmeti bëhet kryetare e Bordit

Albulena Mehmeti, është zgjedhur kryetare e bordit të RTK-së, ndërsa në pozitën që ushtronte ajo është zgjedhë Dardan Beqiri, nënkryetar.

Mehmeti akuzonte kolegët e saj për dorëheqjet sepse nuk pajtoheshin me indiferencën brenda RTK-së ndaj skandalit të lajmit ku mediumi publik duke cituar një medium kontrovers boshnjak akuzonte dy media kosovare “Nacionale” dhe “Periskopi”, si “të Serbisë”. Ajo pohonte se RTK-ja ka të drejtë të publikojë çfarëdo që e sheh të arsyeshme, duke përfshirë edhe lajme si ai “Slobodna Bosna”.

Sidoqoftë, në njoftimin për kryesinë e re të Bordit, thuhet se “nga prioritetet kryesore të kryesisë së re është edhe rritja e kredibilitetit të RTK-së, si dhe vazhdimi i funksionmit të RTK-së në përputhje me rregullativën ligjore dhe standardet më të larta profesionale, duke ofruar informim të saktë, objektiv dhe të shpejtë për qytetarët e Kosovës”.

Njoftimi i plotë:

Në përputhje me Ligjin për RTK-në, Statutin e RTK-së dhe Rregulloren e punës së Bordit, në mbledhjen e zhvilluar më 08 tetor 2024, Bordi i RTK-së zgjodhi kryesinë e re.

Pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, z. Besnik Boletini , me shumicë të votave u zgjedhë kryetare e bordit të RTK-së znj. Albulena Mehmeti ndërsa nënkryetar z. Dardan Beqiri.

Kryesia e re falënderoi anëtarët e bordit për besimin, si dhe shprehu përkushtimin për avancimin e zhvillimit të RTK-së. Ata gjithashtu theksuan angazhimin për të ndjekur praktikat më të mira të mediave publike ndërkombëtare dhe për të ruajtur stabilitetin financiar të institucionit.

Një nga prioritetet kryesore të kryesisë së re është edhe rritja e kredibilitetit të RTK-së, si dhe vazhdimi i funksionmit të RTK-së në përputhje me rregullativën ligjore dhe standardet më të larta profesionale, duke ofruar informim të saktë, objektiv dhe të shpejtë për qytetarët e Kosovës.