Policia e Prokuroria japin detaje për aksionin në MMPHI ku u arrestua Izedin Bytyqi
Policia e Kosovës e Prokuroria Speciale kanë dhënë detaje për aksionin e zhvilluar të martën ku u arrestua zëvendësuesi i sekretarit i Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në aksionin e zhvilluar sot është arrestuar zëvendëssekretari i Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, nën dyshimin për “keqpërdorim të autoritetit zyrtar” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa i dyshuari tjetër Naser Hafizi., që dyshohet për “keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “shpëlarje të parave” dhe “mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Në komunikatën e përbashkët të Policisë e Prokurorisë Speciale është thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit Mauser-Werkr me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
Po ashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë.
“Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, është thënë në komunikatën e përbashkët. /Zëri