“Dardanët” e rinj kërkojnë përkrahje nga tifozët për ndeshjen ndaj Polonisë

Kombëtarja U21 e Kosovës në futboll ka vazhduar stërvitjet për ndeshjet ndaj Polonisë dhe Estonisë. Ndeshjet janë të vlefshme për kualifikimet e Evropianit 2025.

“Dardanët” e rinj stërvitjet po i mbajnë në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Kosova U21 të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 19:00 luan ndaj Polonisë.

Sulmuesi Fatjon Bunjaku, që është pjesë e Malishevës, pret përkrahje të madhe nga tifozët për ta mposhtur Poloninë.

“Stërvitja sot ka shkuar shumë mirë. Si çdo herë grumbullimi me U21 të Kosovës bëhet në atmosferë të mirë. Ne jemi mjaft mirë të komponuar, të gjithë njihemi, sepse jemi grumbulluar edhe disa herë. Nuk ka shumë ndryshime, po ashtu nga Superliga e Kosovës ka shumë futbollistë që njihemi dhe kombinimet nuk mungojnë në stërvitje e në lojë. Presim mbështetje të madhe nga tifozët dhe besoj se pasi jemi vendës do t’i shpërblejmë ata. Mesazhi im për tifozët është të vijnë në stadium”, ka thënë Bunjaku për faqen zyrtare të FFK-së.

Bunjaku është njëri ndër shumë futbollistët e Superligës që janë ftuar nga selektori Afrim Tovërlani për ndeshjet e tetorit, e që janë të fundit në këtë cikël kualifikues. 

Mesfushori i Partizanit të Tiranës, Redon Ismaili, pret ndeshje të vështirë ndaj Polonisë.

“Sot është dita e dytë e stërvitjeve. Atmosfera është mjaft e mirë, grupi i futbollistëve po ashtu është mjaft i mirë. Stërvitjet kanë shkuar mirë. Dje kemi pasur rigjenerim dhe sot ka qenë pak më vështirë, pasi të gjithë kemi ardhur nga ndeshjet që kemi pasur me klubet tona. Dhe prej të mërkurës do të bëjmë taktikën dhe analizat për ndeshjen kundër Polonisë. Është kundërshtar mjaft i fortë, por duke parë edhe ndeshjet tona kemi një bilanc të mirë, kemi pesë ndeshje pa humbje. Jemi edhe në vendin tonë që ka kohë që nuk kemi luajtur në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, ka thënë Ismaili, që po ashtu ka ftuar tifozët për përkrahje.

Më 15 tetor në Tallin, Kosova U21 e luan ndaj Estonisë ndeshjen e fundit të këtij cikli eliminator.

Dy xhiro para fundit është në vendin e katërt me 12 pikë, sa i ka edhe Bullgaria në vendin e tretë. Polonia është e dyta me 18 pikë, ndërsa Gjermania është lidere me 22 pikë.

Në Evropian kualifikohet fituesja e grupit, ndërsa përfaqësuesja e pozitës së dytë luan në plejof.

Kosova U21 nuk ka humbur nga 12 shtatori i vitit të kaluar. Prej atëherë ka dy fitore e tri barazime. Fitoret i ka arritur me Izraelin, ndërsa ka barazuar me Bullgarinë dy herë dhe me Gjermaninë.