Minatorëve u del vetëm gjysma e pagës, reagon Sindikata

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka deklaruar se janë zhgënjyer edhe një herë sot, pasi u është kompensuar vetëm 51 për qind e pagës.

Në një reagim në Facebook, thuhet se ata janë në pritje të pagave të plota sot dhe menaxhmenti duhet t’i kryejë detyrat e tyre.

“Deri kur do të vazhdojë një ofendim i tillë ndaj minatorëve dhe cili është qëllimi i vërtetë i këtyre vendimeve të kundërligjshme?! Për muaj me radhë, që nga zgjedhja e menaxhmentit të ri në ndërmarrje kemi heshtur dhe toleruar, lloj-lloj vendimesh dhe qasje që është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me interesat e minatorëve, me qëllimin e vetëm dhënia e hapësirës së mjaftueshme menaxhmentit të ri për të dëshmuar veten”.

“Shpresojmë që menaxhmenti i Ndërmarrjes shqetësimin tonë ta marrë me seriozitetin më të lartë, duke bëre menjëherë ekzekutimin e plot të pagave. Ashtu që loja me bukën e minatorëve duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Ne jemi në pritje të pagave të plota sot. Menaxhmenti duhet ti kryejë detyrat e tyre”, thuhet në reagim.