Kurti: Hera e parë që s’ka protesta me parulla “duam punë”, u hapën 75 mijë vende të reja
Kryeministri Albin Kurti tha se është hera e parë që në Kosovë nuk ka pasur protesta me parulla “duam punë”, pasi janë hapur 75 mijë vende të reja të punës.
Këto komente Kurti i ka bërë në Konferencën për Turizmin e Qëndrueshëm, e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Investitorët, siç e dimë, kërkojnë konsistencë dhe shërbime me burokraci që të jetë e mundur. Për fat të mirë si ekzekutiv jemi Qeveria e parë që do ta përfundojë mandatin e plotë, një tregues i qartë i stabilitetit institucional dhe politik, por edhe i besimit që kemi ndërtuar në proceset tona. Një pjesë thelbësore është edhe fuqia jonë punëtore, duke përmirësuar arsimin dhe trajnimin profesional”.
“Jemi Qeveria e parë në Kosovë ku nuk ka pasur asnjë protestë të vetme ku figuron ‘duam punë’. Duam paga më të larta, sigurisht, kushte më të dinjitetshme të punës, sigurisht, por ‘duam punë’ nuk ka më parulla dhe kjo është si pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës”, tha Kurti.