Krasniqi me zyrtarë të PDK në Kongresin e ALDE: E zgjodhëm kryetare miken time, eurodeputeten Svenja Hahn

Memli Krasniqi ka marrë pjesë në Kongresin e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Europës, si përfaqësues i PDK-së që është anëtare.

“Këtë fundjavë, në Lisbonë të Portugalisë, zhvilloi punimet Kongresi i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës, ku Partia Demokratike e Kosovës është anëtare me të drejta të plota. Me një pjesëmarrje të madhe të partive anëtare nga e gjithë Evropa, zgjodhëm edhe Kryetaren e re dhe gjashtë Nënkryetarë të ALDES-s, për mandatin e ardhshëm”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.

“Jam shumë i lumtur që në këtë periudhë ALDE-n do ta drejtoj mikja ime, e PDK-së dhe e Kosovës, eurodeputetja gjermane Svenja Hahn. Si rëndom, edhe ky Kongres, ishte një mundësi e mirë për të takuar liderë dhe përfaqësues të shumtë politikë nga shtete të BE-së dhe më gjërë, me të cilët diskutuam për të thelluar bashkëpunimin tonë”, shtoi ai.

Krasniqi thotë se bashkë me partitë tjera anëtare në ALDE, po e përkthejnë parimin e lirisë në “veprime konkrete në politikë, ekonomi dhe në të gjitha fushat e tjera të shoqërive tona – në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”.