Qeveria rrit të gjitha pensionet për 20%
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati mbajtën konferencë për media.
Kurti bëri të ditur se pensionet për të gjitha kategoritë janë rritur për 20%, kurse nga muaji janar 2025 do të rriten 20 për qind pensionet për kategoritë e luftës.
“Tani që situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i rikthehet ritmit të rritjes. Kam një lajm të mirë për pensionistët, nga 1 tetori do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet, pensioni bazik i moshës; Pensioni kontributiv, i plotë dhe parcial; Pensionet për aftësi të kufizuara, për të verbër, për paraplegjikë dhe tetraplegjikë; Pensioni familjar, invalidor i punës, i parakohshëm i “Trepçës”. Nga muaji janar 2025 do të rriten 20 për qind pensionet për kategoritë e luftës”, tha ai.
Ai ka shtuar se nga muaji janar do të ketë rritje për 20 për qind edhe për pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, “përkatësisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre”.
Kjo për shkak se për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë.
Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues dhe se ndikimi në buxhet i kësaj rritjeje do të jetë 100 milionë euro shtesë.
“Falë politikave te mirëmenduara, e kemi pasur të mundur të ndërmarrim këtë veprim”, theksoi Murati.