Rrjetet sociale të mediave vend kryesor i komenteve negative, IKD-ja kërkon ligj të veçantë për përgjegjësit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Përgjegjësia e Mediave ndaj komenteve të paligjshme”.

Në këtë raport theksohet fakti se komentet në lajmet e postuara në rrjetet sociale janë bërë burim kryesor i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, linçimit publik, kërcënimeve e thirrjeve për dhunë. Për këtë është bërë thirrje që Qeveria e Kosovës ta bëjë draftimin e një ligji që merret me këtë çështje.

Betim Musliu, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se në Kosovë përmbajtja mediale e publikuar në rrjete sociale është jashtë çdo rregullimi institucional, kjo pasi Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) dhe Këshilli i Pavarur i Mediave të Shkruara (KPMSHK) nuk kanë juridiksion në përmbajtjen e cila publikohet në rrjete sociale.

“Komente e postuara nga lajmet e publikuara nga mediat në rrjetet sociale janë bërë pothuajse burim kryesor i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, linçimit publik, kërcënimeve, thirrjeve për dhunë. Deri më tani nuk janë marrë masa për këtë dukuri. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) mediat mbajnë përgjegjësi për të kontrolluar komentet e paligjshme të postuara në lajmet e publikuara nga ta në rrjete sociale. Mediat janë të obliguara që të largojnë pa vonesa komente e paligjshme të bëra në publikimet e tyre”.

“Përmbajtja mediale e publikuar në rrjete sociale është jashtë çdo rregullimi institucional, kjo pasi KPM-ja dhe KPMSHK-ja nuk kanë juridiksion në përmbajtjen e cila publikohet në rrjete sociale. GJEDNJ-ja ka theksuar se pa u përjashtuar përgjegjësia e komentuesve, përgjegjës për komente e paligjshme nën kushte të caktuara mbajnë edhe publikuesit e postimeve në të cilat publikohen komentet e paligjshme”, ka thënë ai.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se komentet e jashtëligjshme janë ato komente që haptazi cenojnë të drejtat e personave të tjerë, që përbejnë gjuhë të urrejtjes apo nxisin dhunë, dhe se mediat obligohen që pa vonesa t’i largojnë sharjet, linçimet e fyerjet publike.

Shala ka theksuar se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë bazën ligjore adekuate, në përputhje me jurisprudencën e GJEDNJ-së, që të specifikohet me ligj përgjegjësia e mediave për komentet e paligjshme në publikimet e tyre në rrjetet sociale.

“Sipas GJEDNJ-së për mediat nuk kërkohet të analizojnë vërtetësinë dhe ligjshmërinë e secilit koment, por përgjegjësia e tyre shtrihet në komentet të cilat haptazi, pa një analizë ligjore apo gjuhësore, kuptohet se janë të paligjshme. IKD-ja rekomandon që KMSHK-ja në rregullativën e saj duhet të parasheh përgjegjësinë e mediave për komente e paligjshme. Draftimi i ligjit duhet që të bëhet në mënyrë të kujdesshme që të adresojë përgjegjësit e mediave në këtë fushë, por në as një mënyrë mos të cenojë pavarësinë e mediave”, ka thënë ai. /eo