Qeveria ndryshon masën e sigurisë ndaj produkteve serbe
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdar.
Zeri.info ka marrë vesh se vendimi është ndërruar nga qarkullimi i kufizuar në kontroll të shtuar.
Ndryshe, Kosova së fundi ka pasur presion për të hequr ndalesën për mallrat serbe.
Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e shkuar.
Masa e sigurisë më pas u ndryshua, duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmëprodukteve të nevojshme për prodhim final.
Më vendimin e ri, i cili u është përcjellë të hënën institucioneve përkatëse nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndalimi i importimit të këtyre produkteve do të zëvendësohet me "kontroll të detajuar" për maunat që hyjnë nga Serbia.
Ndryshimi i masës së sigurisë vlen vetëm për pikën kufitare në Merdar, derisa ajo mbetet në fuqi në pikëkalimet kufitare të tjera me Serbinë.
Gjermania ka kërcënuar Kosovën me mospjesëmarrje në samitin që mbahet më 14 tetor, nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia.
Sipas emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kjo ndalesë bllokon edhe punën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore - CEFTA.