Kurti në hapjen e Panairit të Janjevës: Po e rikthejmë shkëlqimin e dikurshëm e gjallërinë ekonomike

Kryeministri Albin Kurti të hënën ka marrë pjesë në hapjen e Panairit të Janjevës “Mirë se erdhët në Janjevë!”.

Nga atje, Kurti foli për investimet që janë duke u bërë në këtë qytezë.

Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit tha se përmes tri dikastereve Janjeva po përfiton projekte në shumë fusha.

Sipas tij, nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike, raporton EO.

“Qeveria jonë po investon përmes tri ministrive këtu. Ministri e Kulturës në restaurimin dhe funksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e kapaciteteve për turizëm dhe zhvillim. Mandej Ministria e Zhvillimit Rajonal për infrastrukturë rrugore të qytezës së Janjevës si dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet”, u shpreh Kurti.

“Ky projekt hap një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës janjevase, e cila ka migruar në Kroaci, duke krijuar mundësi e arsye të fortë për rikthim e bashkëfinancim në Janjevë. Nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike”, u shpreh tutje Kurti.