Punëtorët e arsimit në komunën e Vitisë, edhe sot pa paga

Punëtorët e arsimit në komunën e Vitisë tash e disa ditë kanë mbetur pa paga, ndërsa ditë më parë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar zgjidhje të menjëhershme të situatës.

Gjatë protestës, të gjithë të pranishmit kërkuan njëzëri që deri të hënën (7 shtator) të bëhej ekzekutimi i pagave për muajin shtator, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, në një prononcim për Telegrafin konfirmoi se as sot nuk është bërë ekzekutimi i pagave për mësimdhënësit.

“As sot nuk është bërë ekzekutimi i pagave për mësimdhënësit. Drejtoresha e Financave është në takim në kuadër të Ministrisë për të biseduar për ndonjë zgjidhje eventuale”, ka thënë Aliu për Telegrafin.

Protesta e mbajtur të premten ishte përkrahur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Madje, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj gjatë protestës paralajmëroi se nëse nuk bëhet ekzekutimi i pagave deri të hënën (07.10.2024), do të ndërmerren veprime sindikale, jo vetëm në Viti, por edhe në komuna të tjera të vendit.