Vlerat e manganit në ujin e Badocit, ende të larta

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se uji që vjen nga liqeni i Badocit është ende i papijshëm.

Në një njoftim lidhur me sasinë e manganit në ujin e ujësjellësit rajonal KRU “Prishtina”, që vjen nga liqeni i Badocit, thuhet se vlerat kanë rënë, por që ende janë më të larta sesa standardi i përcaktuar.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka vazhduar monitortimin e ujit për pije të Ujësjellësit Rajonal KRU 'Prishtina' që vjen nga liqeni i Badocit, pas rishfaqjes së vlerave të larta të Manganit, javën që shkoi. Gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të vikendit, vërehen ulje e vlerave të Manganit. Megjithatë, këto vlera ende janë më të larta sesa vlerat e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ Ne: 10/2021 ‘Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu’”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij udhëzimi, standardi i paraparë për vlerat e lejuara të manganit në ujin e pijes është 0.05 mg/L, ndërsa, sipas analizave të kryera ditëve të vikendit, vlerat më të larta të regjistruara sillen prej 0.102 - 0.0230 mg/L.

Ekipet e IKSHPK-së thuhet se vazhdojnë të monitorojnë ujin e pijes nga liqeni i Badocit edhe gjatë ditëve në vijim.

“Ndërkohë, mbetet në fuqi rekomandimi që uji që vjen nga ky liqen të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja ka ripërsëritur edhe rekomandimet për KRU “Prishtina”.

“Duke pasur parasysh që vlerat e manganit ende janë të larta, mbesin në fuqi rekomandimet e dhëna për KRU ‘Prishtina’ që: Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e klorit (Cl) rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L; Të përcillet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës; Të zbatohen procedurat standarde për trajtimin e ujit në situata si kjo; Të bëhet shpëlarja e rrjetit shpërndarës magjistral dhe segmenteve të vogla; Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët”, thuhet në njoftim.