Nga 1 janari një biletë për gjithë transportin urban në Prishtinë, Komuna nënshkruan kontratë me 24 operatorë privatë
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontrata me 24 operatorë privatë të transportit publik. Përmes kësaj kontrate, operatorët privatë do të paguhen sipas kilometrave të realizuar.
Kontrata përcakton që operatorët privatë obligohen të blejnë autobusë të rinj, në të kundërtën atyre mund t’u revokohet licenca.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se kjo marrëveshje hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe se qytetarët do të paguajnë një biletë.
“Sot kjo ditë shënon një transformim të trafikut urban, duke i nënshkruar 24 kontrata me sektorin privat. Prej sot e tutje kontratat do t’i kenë tetëvjeçare këto kontrata dhe u mundëson që të investojnë në autobusë të rinj. Kemi punuar shumë ta krijojmë një sistem të ri dhe në mënyrë që qytetarët ta blejnë veç një biletë. Që nga 1 janari qytetarët do ta blejnë veç një biletë”, u shpreh Rama.
“Kjo e krijon një ekuilibër dhe një baraspeshë të shërbimeve që do të ketë një ‘garë’ ndërmjet sektorit privat dhe publik në mënyrë që standardi të jetë i barabartë. Kontrata është njëvjeçare që t’i blejnë autobusët, në të kundërtën do t’u merre licenca”, deklaroi Rama. /eo