Tre persona lëndohen në një vetaksident në Viti, njëri në gjendje të rëndë
Tre persona (shoferi dhe dy pasagjerë) kanë marrë lëndime trupore si pasojë e një vetaksidenti në fshatin Remnik - Viti.
Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:00.
Tutje, siç thuhet në raport, njëri nga pasagjerët është me lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në QKUK.
“Është raportuar se ka ndodhë vetaksident trafiku, në të cilin ka qenë e përfshirë një veturë udhëtarësh me targa vendore. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar drejtuesi i veturës dhe dy pasagjerë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor. Njëri nga pasagjerët me lëndime të rënda trupore i cili fillimisht trajtim mjekësor ka marrë në Qendrën Emergjente në Gjilan, pastaj është dërguar në QKUK”, thuhet në raport.
Ndërkaq, lidhur me rastin janë njoftuar autoritetet kompetente. /Zëri