Rohde promovon turizmin në Kosovë, prezanton edhe një hardhucë që e mbante në dorë gjatë ngjitjes në malet e Sharrit

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, po vazhdon me eksplorimin e bukurive të Kosovës dhe promovimin e tyre.

Ai gjatë ditës së djeshme, së bashku me një grup prej disa personave, kanë ngjitur majën e Kobilicës në lartësinë 2528 metra, e cila gjendet në kufi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbi malin e Lubinjës në malet e Sharrit.

Në një postim në “X”, ambasadori gjerman ka ndarë një video nga kjo eksperiencë, të cilën e ka quajtur si të mahnitshme.

“Ecje fantastike me shoqëri të mahnitshme dje! Këtë herë nuk ka not, por kemi pasur takime të ngushta me jetën e egër dhe një shi freskues”, shkroi Rohde.

Në videon e publikuar ambasadori shihet teksa takon një hardhucë.

“Përshëndetje Kosovë. Sapo arritëm në majën e Kobilicës. Ishte një ngjitje e vështirë, por ne jemi një grup i mrekullueshëm. Ne kemi qenë me fat me motin deri tani”, shprehet ambasadori.

Kujtojmë se para disa javëve Rohde ishte ngjitur në majën e Gjeravicës, ku kishte provuar të gatuante edhe fli.