Sot protesta kombëtare e thirrur nga opozita në Tiranë, priten bllokime rrugësh dhe mosbindje civile

Partia Demokratike ka thirrur sot një protestë kombëtare, në atë të cilën e quan si një nisje të një vale protestash deri në arritjen e tri qëllimeve të tyre; zgjedhje të lira, qeveri teknike dhe lirimin e Sali Berishës.

Ashtu siç ka deklaruar edhe më herët lideri demokrat Berisha, por edhe eksponentë të tjerë të PD-së, në këtë protestë nuk do të ketë fjalime dhe kryefjala do të jetë mosbindja civile.

Kjo protestë që sipas demokratëve është nisja e një vale protestash erdhi pas dënimit me një vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë.

Një ditë më parë Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë dhe tha se demokratët janë të betuar për çdo sakrificë.

“Pararendësit e marshit të demokrateve dhe demokratëve, opozitareve dhe opozitarëve, qytetarëve dhe qytetareve drejt fitores. 23 orë na ndajnë nga dita e fillimit të asaj beteje në të cilën çdo demokrate dhe demokrat, çdo opozitar dhe opozitare vendos i betuar, i gatshëm për çdo sakrificë për dinjitetin e tij, për dinjitetin e shqiptarëve, për votën e lirë, për të ardhmen tonë”, tha Berisha.

Policia njoftoi një ditë më parë se ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e kësaj proteste dhe u bëri apel pjesëmarrësve që të distancohen nga çdo akt dhune.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve”, njofton Policia.

Sipas policisë do të jenë të paktën 15 akse dhe kryqëzime të të gjithë kryeqytetit që mund të bllokohen nga protestuesit.

“Në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: ‘Ukraina e Lirë’, ‘Papa Gjon Pali II’ dhe ‘Ismail Qemali’. Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore që lidhen me bulevardin kryesor. Policia kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”, njofton Policia.