Lajçaku paralajmëron përgatitjet për takimin e radhës Bislimi-Petkoviq

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë javës që po hyjmë do të fokusohet në përgatitjen e një takimi të ri të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel.

Ai një gjë të tillë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka dhënë detaje lidhur me pjesëmarrjen e tij në forumin ‘To Be Secure’ që u mbajt në Mal të Zi.

“Javën e ardhshme do të fokusohem në përgatitjen e takimit të radhës të të kryenegociatorëve në Bruksel, të cilin do të doja ta organizoja në javët në vijim”, ka shkruar Lajçak.

Lidhur me forumin në Mal të Zi ai theksoi se duke parë të ardhmen e rajonit, BE-ja duhet të marrë prioritetet e saj për të shmangur sfidat në Ballkanin Perëndimor.

Ai gjatë një paneli në kuadër të këtij forumi ka theksuar se janë duke punuar që pas zgjedhjeve në Kosovë të ketë përparim të shpejt në dialog.

Takimi i fundit i Lajçakut me kryenegociatorët ishte në mes të muajit të kaluar, por nuk pati dakordim për një takim trepalësh.