Vdes 22-vjeçari nga Zhilivoda e Vushtrrisë, bie në kontakt me rrymën
Një i ri 22-vjeçar ka humbur jetën në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë, pasi dyshohet të jetë goditur nga rryma elektrike në shtëpinë e tij.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Ilmi Prekazi, i cili ka bërë të ditur se ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 10:00.
“Policia në Vushtrri është njoftuar se një person 22-vjeçar ka pësuar goditje elektrike në banesën e tij. Njësitë policore u dërguan menjëherë në vendngjarje, por viktima ndërkohë ishte transportuar nga familjarët në Emergjencën e ShSKUK në Prishtinë për trajtim mjekësor,” ka sqaruar Prekazi.
Fatkeqësisht, sipas informacioneve të marra nga Emergjenca, rreth orës 11:23, është konfirmuar se i riu kishte ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe eksperti i rrymës, ndërsa janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, dhe rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë, nën mbikëqyrjen e prokurorit kujdestar. /telegrafi