Konjufca: Me shumë dhimbje e mora lajmin për vdekjen e tre të rinjve në liqenin e Badocit

Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar për aksidentin e mbrëmshëm në Liqenin e Badocit, ku mbeten të vdekur tre të rinj.

Konjufca përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se “me shumë dhimbje” e ka pranuar lajmin për vdekjen e tre të rinjve në një vetaksident rrugës Gjilan-Prishtinë, saktësisht në afërsi të Liqenit të Badocit.

Konjufca ka bërë thirrje për kujdes ndaj kushteve të pafavorshme atmosferike gjatë vozitjes.

“Me shumë dhimbje mora lajmin se në aksidentin e mbrëmshëm në Liqenin e Badocit kanë ndërruar jetë tre të rinj.U informova se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht me rastin për ta zbardhur atë në plotni. E në të njëjtën kohë, i bashkohem thirrjes për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike. Duke bashkëndier me dhimbjen e familjarëve, si dhe miqve të viktimave, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e tyre dhe shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar këtë tragjedi tronditëse. U prehshin në paqe!”, ka shkruar Konjufca.