Në aksidentin në Badoc intervenoi edhe FSK-ja: Dy trupa u gjetën në ujë, njëri në veturë
Tre persona kanë mbetur të vdekur mbrëmë, pasi vetura me të cilin po lëviznin ka rënë në Liqenin e Badocit.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë Malë Gashi, tregoi se dy nga trupat e viktimave janë gjetur në ujë, ndërsa njëri nga ta kishe mbetur brenda veturës.
“Menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kanë bërë përpjekje për ta nxjerrë veturën, por nuk kanë mundur sepse ishte e gjitha e zhytur në ujë”, tregoi ai.
“Ka ardhur ekipi i zhytjes së FSK-së, i kanë nxjerrë dy persona që kishin humbur jetën në ujë, njëri që ka mbetur në veturë e kemi tërhequr me litar, me kamion e kemi nxjerrë veturën me gjithë personin e vdekur, dhe pastaj sigurisht e kemi hequr edhe nga vetura bashkë me FSK-në, dhe e kemi dorëzuar te ekipet mjeko-ligjore”, shtoi Gashi për Klankosova.tv.