Inter fiton në shtëpi përballë Torinos, shkëlqen Thuram me het-trik
Inter ka shënuar fitore me rezultat 3-2 ndaj Torinos në kuadër të javës së shtatë në elitën e futbollit italian.
Të parët që rrezikuan ishin mysafirët përmes Samuele Riccit i cili në minutën e 14-të e detyroi Yann Sommer që të intervenojë për ta parandaluar golin.
Në minutën e 20-të mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë pasi qendërmbrojtësi Guillerme Maripan u ndëshkua me karton të kuq.
Këtë e shfrytëzoi Interi të cilët arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 25-të me Marcus Thuram që realizoi me kokë për 1-0 pas krosimit të Federico Dimarcos.
I njëjti lojtar në të njëjtën mënyrë shënoi për 2-0 në minutën e 36-të, por kësaj radhe asistues ishte Francesco Acerbi.
Mysafirët megjithatë ia dolën që ta shënojnë një gol dhe këtë e bën përmes Duvan Zapatas që në minutën e 37-të realizoi për të ngushtuar shifrat në 2-1.
Në pjesën e dytë sërish në skenë doli Thuram i cili realizoi për 3-1 në minutën e 60-të duke kompletuar kështu edhe het-trikun.
Deri në fund mysafirët ia dolën që të shënojnë edhe një gol përmes Nikola Vlasic (86’) i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për 3-2.
Pas javës së shtatë, Interi renditet në pozitën e dytë në Serie A me 14 pikë të grumbulluara, dy më pak se lideri Napoli që ka 16 sosh./telegrafi