Gruaja që u plagos aksidentalisht nga djali polic, mbetet në gjendje të rëndë

Gruaja e cila u plagos aksidentalisht nga djali i saj polic dje në Prishtinë, ende është në gjendje të rëndë.

Kështu tha shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK Shaqir Uka, në një përgjigje për Klankosova.tv.

Ai tregoi se pacientja fillimisht është pranuar në Qendrën Emergjente, pas lëndimeve që i ka pësuar me armë zjarri në regjionin e kokës.

“Pas ekzaminimeve është vendosur indikacioni për intervenim kirurgjik, i cili është kryer dje në orët e vonshme. Pas intervenimit kirurgjik është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm, dhe vazhdon të qëndrojë në njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror”, shtoi Uka.

“Për momentin pacientja prezantohet të jetë e fjetur me barna, e lidhur për aparature mjekësore”, tregoi mes tjerash shefi i Mjekimit Intensiv.

Ai tutje theksoi se ekipi mjekësorë po vazhdon të bëjë përpjekje për stabilizimin e gjendjes së pacientes.

“Përderisa është në Mjekim Intensiv, dhe ka lëndime të tilla në regjionin e kokës, hyn në rradhën e pacienteve që janë të rrezikuar”, shtoi Uka.