Emina Çunmulaj mirëpritet dhe nderohet me mirënjohje në Ambasadën e Kosovës në SHBA
Modelja e njohur shqiptare, Emina Çunmulaj, ka marrë një mirënjohje të veçantë në Ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, një ngjarje që thekson angazhimin e saj për forcimin e lidhjeve kulturore dhe profesionale brenda diasporës shqiptare.
Emina e bëri këtë të ditur përmes disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale, duke ndarë me ndjekësit momentet e saj të veçanta nga “SAPS Community Networking Summit”, i cili u mbajt në Washington, DC.
Në postimin e saj, Emina shkruante: “Një ditë frymëzuese në Samitin e Rrjetit të Komunitetit SAPS, i mbajtur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington, DC. Ky event i shkëlqyer bashkoi profesionistë dhe studentë shqiptarë për të lidhur, ndarë ide dhe eksploruar mënyra për të forcuar lidhjet kulturore dhe profesionale brenda diasporës sonë të gjallë”.
Ajo shprehu mirënjohjen e saj për këtë ngjarje dhe për mundësinë për të qenë e pranishme përkrah figurave të njohura si Ambasadori Ervin Bushati, Faton Limani, Etel Haxhijaj dhe Ermal Shehu. Emina theksoi rëndësinë e ndarjes së ideve dhe lidhjeve brenda komunitetit shqiptar në ShBA.
Ngjarja kishte për qëllim të forconte marrëdhëniet dhe të inkurajonte bashkëpunimin mes profesionistëve dhe studentëve shqiptarë në diasporë. Emina, e cila ka pasur një karrierë të suksesshme si modele dhe ndërmjetëse kulturore, vazhdon të jetë një zë i fuqishëm për promovimin e kulturës shqiptare jashtë kufijve.
Me këtë rast, Emina jo vetëm që ka ndarë momente të rëndësishme për të, por gjithashtu ka nxjerrë në pah rëndësinë e angazhimit të individëve shqiptarë për të ndihmuar në forcimin e lidhjeve kulturore dhe profesionale. /telegrafi