IPK-ja rekomandon suspendimin e policit në Prishtinë, dyshohet se plagosi nënën e tij
Policia e Kosovës ka pranuar informacione sot pas orës 12:00 për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative policore.
Pasi që në rast dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor janë njoftuar menjëherë edhe hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore në këtë rast është lënduar një person nga shkrepja e armës. E lënduara është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në pritet të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore”, njofton IPK-ja.
Sipas burimeve të telegrafit, dyshohet se e plagosura është nëna e policit të suspenduar.
I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) është shoqëruar në Inspektoratin Policor përderisa është rekomanduar suspendimi i tij si dhe i është konfiskuar arma zyrtare e cila dyshohet se është përdor në këtë rast.