Polici në Prishtinë dyshohet se plagosi aksidentalisht nënën e tij
Një zyrtar policor po dyshohet se ka plagosur aksidentalisht nënën e tij sot në Prishtinë.
“Zëri” ka mësuar nga burimet e saj, ndërsa Policia ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në kryeqytet, ku në vendngjarje është edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
“Duke u bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person. E lënduara është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë dhe IPK-në po merren me rastin”, tha Ahmeti. /Zëri