Silvinjo shpjegon zgjedhjet e tij për sfidat e tetorit
Në prag të grumbullimit të Kombëtares shqiptare, që nis zyrtarisht të hënën e 6 tetorit, trajneri Silvinjo shpalli sot për mediat dhe opinionin publik edhe listën me 24 futbollistët e thirrur për këto dy ndeshje, ku risi është mesfushori i Rijekës, Adrion Pajaziti.
Në konferencën zyrtare për media tekniku brazilian komentoi listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet ndaj Çekisë e Gjeorgjisë, foli për rikthimet e lojtarëve Muçi e Ajeti, pse mungon Rei Manaj, risinë “Adrion Pajaziti”, shpjegoi si është gjendja e kapitenit Gjimshiti, ndërsa vlerësoi edhe dy kundërshtarët e muajit tetor.
Rikthimi i Muçit, Abrashi, Pajaziti dhe pse mungon Manaj – Kemi tre lojtarë të dëmtuar. Pas ndeshjeve të Kombëtares, Manaj është dëmtuar në një ndeshje me klubin e tij në Turqi dhe nuk ka luajtur më. Kemi folur edhe me lojtarin, edhe me klubin dhe nuk kemi dashur që ta rrezikojmë. E njëjta gjë ndodh edhe me Medon Berishën dhe Keidi Baren. Medoni gjatë stërvitjes ka pasur probleme dhe nuk kemi rrezikuar as me të. Keidi Bare është dëmtuar me 8 shtator në sfidën kundër Elches dhe nuk ka luajtur më. Doktori i Kombëtares, Stessina ka qenë vazhdimisht në kontakt me mjekun e Zaragozës dhe lojtarit i duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar. Sa i përket Pajazitit, është një lojtar që unë e njoh. Ka ndryshuar skuadër dhe po luan shumë mirë. Më pëlqen si luan, është rritur shumë si lojtar. Është një mesfushor që mund të luajë në shumë role. Sa i përket Abrashi, ai mund të japë ende shumë për Kombëtaren. Kemi shumë lojtarë të rinj në Kombëtare si Asllani, Mitaj, Muçi, të cilët kanë nevojë për futbollistët me eksperiencë si Gjimshiti, Ajeti, Abrashi të cilët e njohin mirë skuadrën dhe mund të nevojiten. Abrashi është një lojtar me të cilin mund të luaj. Kam besim te ky lojtar.
Pse nuk morët një tjetër sulmues qendre dhe a e konsideroni Albion Ademin? – Sa i përket lojtarit Tuci, e kam parë me Spartën e Pragës. Kam qenë edhe në qendren sportive të këtij klubi, e kam takuar. Është pjesë e listës dhe është njësoj si Çuni, si Vrioni që luan në Amerikë. Ne në staf kemi bërë zgjedhje. Kur nuk kemi lojtarë si Daku apo Manaj, që luajnë si sulmues qendrore kemi lojtarë të tjerë si Seferi apo Uzuni, mbase edhe Muçi që mund ta bëjë atë rol. Mua më pëlqen të luaj me një lojtar përpara, por ka shumë ekipe që nuk e kanë një 9-sh të qartë në ekipet e tyre. Futbolli është i tillë dhe duhet të përshtatemi. Deri tani kemi Dakun dhe Manajn që e bëjnë atë rol dhe kemi 2-3 lojtarë që i gjejmë dhe jemi pas tyre për t’i provuar. Në rastin e Asanit, Laçi është lojtari që është përshtatur më shumë deri tani në rolin e tij. Unë besoj në mundësitë që i jepen lojtarëve dhe jo në eksperimente. Zeka dhe Spahiu për shembull janë dy lojtarë që u është dhënë mundësia të jenë pjesë e Kombëtares dhe mund të rikthehen sërish me Kombëtaren pasi dera është e hapur. Deri para 3 muajsh zëvendësuesi i Asanit ishte teknikisht Muçolli. Por ne si staf do duhet të jemi pas lojtarëve të tjerë që mund të na shërbejnë. Lojtarët shikohen në stërvitje jo vetëm gjatë ndeshjeve. Kombëtarja është e hapur dhe mund të ketë hapësirë për t’u rikthyer. Albion Ademi? – Sipas nesh nuk është ende momenti i këtij lojtari.
A është tani momenti i Muçit? – Që unë të marr 2-3 lojtarë, sigurisht që do të më duhet të lë ndonjë lojtar tjetër jashtë. Në këtë rast kemi rikthimin e Muçit që është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Është i ri dhe ka një rrugë të bukur përpara. Por duhet të kuptoni që kur një lojtar ndryshon klubin, ka një lloj ndryshim edhe në jetë. Ka nevojë për kohë për t’u përshtatur. Fjala që unë zgjedh në këtë rast është ‘durim’. Ai po bën mirë, mund të ketë mundësi dhe minuta edhe me ekipin. Nga 24 lojtarë që ne përzgjedhim, secili lojtar ka mundësinë e tij për të luajtur. Qoftë 10 apo 90 minuta, është një mundësi shumë e madhe për lojtarin, pasi mund t’i ndryshojë jetën. Por edhe stërvitja, jo vetëm ndeshje. Duhet të kujtojmë që lojtarët do të luajnë në fundjavë me klubet e tyre dhe do të bëjmë rivlerësimet tona se si do të jetë gjendja e tyre. Ju jeni të lumtur me Muçin dhe unë jam i lumtur me to dhe shpresoj të ketë një lloj vazhdimësie.
Grumbullimi i Spahiut & Zekës në ndeshjet e kaluara dhe rikthimi në Çeki – Sa u përket Zekës dhe Spahiut, grumbullimi i tyre nuk është një eksperiment. Kombëtarja të jep mundësi dhe ne kemi pasur mundësi që t’i shohim këta lojtarë për 10 ditë. Spahiu pati hapësirë të luajë disa minuta edhe me Gjeorgjinë. Të dy janë lojtarë që luajnë në të djathtë, por janë mëngjarashë. I dhamë hapësirën për të qenë pjesë e skuadrës. Ne kemi 45-50 lojtarë që i kemi vazhdimisht në monitorim. I kemi parë dhe Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Sa i përket ndeshjes me Çekinë rikthehemi me 11 tetor në Pragë. Kemi dy ndeshje të vështira në transfertë. Çekia është një ekip i fortë, fiton centimetra. Luan teknikisht dhe ka 4-5 lojtarë me të cilët mund të luajë në ajër. Ka një tranzicion të shpejtë dhe ka lojtarë fizikë. Do jenë dy ndeshje të vështira dhe është një grup i vështirë.
Organizimi i Kampionatit Evropian U-21 2027 – Është e vërtetë që FSHF-ja është kandidate. Unë jam trajner, mua më intereson shumë lojtarët e U-21. Në fakt ne kemi marrë shumë nga aty, Simonin, Bajramin, Mitajn, Berishën, Pajazitin, Fetain, Shpendin. Kemi marrë shumë lojtarë të fortë aty, mua më intereson, por se si bëhet, ku bëhet pastaj, në vitin 2027, nuk është çështje e trajnerit. Unë jam i lumtur kur lojtari bën një rrugëtim të mirë, në një kampionat të fortë. Unë jam ai që duhet t’i shkojë mbrapa lojtarit, nuk është e trajnerit të vendosë apo të japë opinione, është një çështje e veçantë, që sipas meje nuk më përket. Nga ana sportive jam shumë i lumtur që lojtarët e U-21 vijnë te ne në kondicion të mirë.
Armando Broja, keni folur me klubin e Everton për gjendjen e tij? – Kemi folur pak me Evertonin, sipas klubit ka nevojë dhe për 5 javë të rikuperohet. Për momentin nuk është në gjendje të luajë me ekipin e tij, automatikisht nuk është i disponueshëm për ne. Kam pak për të thënë për këtë rast. Dëshira është të rikuperohet që të rikthehet. Sa më shumë lojtarët të luajnë me klubin, aq më mirë për ne. Është lojtar i rëndësishëm, ishte në Europian me ne. Presim që të rikthehet sa më shpejt.
Si është gjendja e lojtarëve që nuk kanë shumë minuta me klubet e tyre? – Jam shumë i lumtur me të gjithë. E rëndësishme të kuptohet se kemi në monitorim 40 – 50 lojtarë. Nuk jemi Kombëtare që nëse nuk luan me klubin, nuk përzgjidhesh. Të mos jesh pjesë e listës, nuk do të thotë që nuk stërvitesh. Nuk varet nga sa minuta luan. Gjithmonë lotjarët kanë qenë të gatshëm për të dhënë gjithçka. Ne duhet të bëjmë një listë të ekulibruar dhe të mirë. Unë jam shumë i kënaqur me lojtarët, pasi pavarësisht nga minutat kanë dhënë gjithçka me fanellën e Kombëtares. Luajnë apo jo në Champions, me minuta apo 0 minuta për mua është e rëndësishme të japin zemrën dhe shpirtin në fushë.
Gjendja e Berat Gjimshitit? – Kemi folur me doktorin e Atalantës. Stesina ka folur me ta, Gjimshiti është kapiteni i kësaj skuadre, lojtar i rëndësishëm për kombin. Një eksperiencë e bukur njerëzore dhe futbollistike. Nuk ishte në “Euro 2016”, pastaj u kthye ishte në “Euro 2024” dhe ishte kapiten. Jeta është e bukur, jeta shkon para, jam i lumtur për të. Duhet të presim sot, nëse ftohet apo jo për ndeshjen e nesërme me Atalantën. Të shohim, ka një dëmtim të vogël. Për të tjerat flas me doktorin, si ne, edhe Atalanta, presin si do të shkojë sot lojtari. Nëse do të jetë nesër në gjendje, nëse do të jetë gati, do të vijë me ne, nëse nuk luan, do të flasim me ta dhe lojtarin dhe do të shohim se çfarë do të bëhet. Kjo është situata e tij sot.
Mitaj i vetëm në krahun e majtë? – Ne ndjekim shumë lojtarë, edhe majtas. Por mos harroni që Hysaj e Balliu kanë bërë shumë kohë mbrojtësin e majtë, edhe Balliu në dy ndeshjet e fundit ka bërë mbrojtësin e majtë. Ai është një lojtar me eksperiencë, luan me këmbën e kundërt. Hadroj ka bërë një rrugëtim në të kaluarën si mbrojtës i krahut të majtë, e ka eksperiencën. Ne duhet të kuptojmë çfarë të bëjmë në mbrojtje nëse ndodh ndonjë gjë me Marion, por sipas nesh të tre mund të bëjnë të majtin. E vërtetë, janë karakteristika të ndryshme, por nëse është e nevojshme duhet të kuptojmë dhe në bazë të karakteristikave të lojtarëve do të vendosim. Për ne të tre mund të luajnë në të majtë Hadroj, Hysaj dhe Balliu. Hadroj vjen dhe stërvitet te ne si i majtë. Të djathtën e bën lehtësisht, pastaj nëse ndodh, në ndeshje ne duhet të zgjedhim.
Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshjet e radhës në kompeticionin “Liga e Kombeve” ndaj Çekisë (“Epet Arena”, 11 tetor, ora 20:45) dhe Gjeorgjisë (“Mikheil Meskhi”, 14 tetor, ora 18:00). Kuqezinjtë do t’i zhvillojnë të dyja këto sfida në transfertë.