Analizat e ujit në Badoc tregojnë tejkalim të standardit për mangan
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ngritur vigjilencën për monitorimin e ujit për pije.
IKSHPK-ja ka njoftuar se rezultatet laboratorike të mostrave të marra nga uji i Badocit kanë dalë se ka tejkalim të standardit për mangan, transmeton Zeri.info.
Në bazë të kësaj, IKSHPK-ja, rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.
Njoftimi i plotë nga IKSHPK-ja:
Pas marrjes së njoftimit nga kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina” përmes postës elektronike (me datë 02.10.2024, në orët e pasdites) për ngritjen e vlerave të Manganit në ujin e Liqenit të Badocit, si dhe në ujin e trajtuar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ngritur vigjilencën për monitorimin e ujit për pije.
Ditën e djeshme, ekipi i IKSHPK-së ka marrë 16 mostra në Zonën - PR03, e cila furnizohet nga Impianti për trajtimin e ujit në Badoc (mostrat e marra janë të shpërndara në tërë zonën e furnizimit nga ky impiant), me qëllim të pasqyrimit sa më real të gjendjes dhe kryerjes së analizave të ujit.
Nga rezultatet laboratorike, 15 mostra nga numri total i mostrave të marra rezultojnë me tejkalim të standardit për Mangan. Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062 mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L.
Sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L.
Bazuar në të dhënat e deritashme, paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badocit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve. Kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni.
Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç.
Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.
Duke pasur parasysh rezultatet e lartpërmendura, IKSHPK ka rekomanduar ndërkaq KRU “Prishtina” që:
• Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2 mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;
• Të përcillet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës;
• Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;
• Shpërlarja e rrjetit shpërndarës - gypave magjistral;
• Shpërlarja e rrjetit shpërndarës - segmenteve të vogla;
• Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.
IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
Bashkëngjitur, harta me zonat që furnizohen nga liqeni i Badocit.