Vrasja në “Bon Vivant”, dëshmitari thotë se ishte kërcënuar me vrasje nga tashmë i ndjeri
Dëshmitari Gezim Zakuti ka deklaruar se në ditën kritike, para se të ndodhte vrasje, K.R., i kishte thënë largohet se të vrasë.
Këtë deklarim Zakuti e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku për vrasjen e K.R., që kishte ndodhur në gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant” po akuzohet Andi Pajaziti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Janë ardh e kanë marrë Andin 3 – 4 persona…pa asnjë arsye me tha largohu prej ketuhit se te vrasë”, ka deklaruar Zakuti.
Dëshmitari vazhdoi të thotë se nuk kishte vërejtur ndonjë bisedë nga tavolina ku qëndronte Pajaziti.
Ai ka thënë se reagimet e personave që ishin me të i kishte parë vetëm kur Pajaziti ishte sulmuar.
Zakuti gjithashtu njoftoi se kishte parë Pajazitin të sulmohej disa herë në kokë dhe, në atë moment, ishte afruar për ta qetësuar situatën.
I pyetur për veprimet e tij pas dëgjimit të të shtënave, Zakuti theksoi se pas disa sekondash kishte dalë nga lokali me Andi Pajazitin, pasi sipas tij, ky i fundit nuk ishte në gjendje të mirë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.