Osmani e Kurti urojnë Gjermaninë për Ditën e Unitetit

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë uruar Gjermaninë për Ditën e Unitetit.

E para e shtetit ka thënë se populli i Kosovës bashkohet me miqtë dhe aleatët gjermanë për të festuar forcën dhe unitetin që përfaqëson kjo ditë. “Gjermania ka qenë gjithmonë dhe mbetet një nga aleatët më të fortë të Kosovës. Marrëdhënia jonë është e bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike, me diasporën tonë në Gjermani që shërben si një dëshmi e lidhjes gjithnjë në rritje midis vendeve tona”, ka shkruar presidentja në platformën X.

Ndërkaq kryeministri Kurti ka thënë se kjo ngjarje historike “feston ribashkimin, lirinë dhe lidhjet kulturore që bashkojnë vendet tona”.

“Pas më shumë se katër dekadash ndarjeje të Luftës së Ftohtë dhe me presionin e kancelarit gjerman Helmut Kohl, udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev ra dakord për një Gjermani të bashkuar brenda NATO-s, duke çuar në ribashkimin e Gjermanisë në këtë ditë në vitin 1990. Diaspora jonë e fortë në Gjermani është një dëshmi e gjallë e miqësisë, kontributit dhe vlerave të përbashkëta mes nesh. Gëzuar për bashkëpunimin dhe unitetin e vazhdueshëm!”, ka shkruar Kurti.