Italinë e shqetëson “kriza” në Kosovë gati sa konflikti në Lindjen e Mesme

Ministri italian i mbrojtjes, Guido Crosetto ka shfaqur frikën nga konflikti i nisur në Lindjen e Mesme.

Mirëpo, derisa po fliste në parlamentin italian, ai tha se i druhet edhe “krizës së Kosovës” pothuajse aq sa edhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Aktualisht, situata është e qetë, por fragjile”, ka komentuar situatën në Kosovë komandanti në largim i KFOR-it, Ozkan Ulutash, i cili do të pasohet nga gjenerali italian, Enrico Barduani, ka raportuar “HuffingtonPost” në gjuhën italiane.

E Crosetto tha: “Është një front tjetër që më shqetëson mua, jo sikurse ai në Lindjen e Mesme, por ka potencial shpërthimi sikurse ky”, tha ministri italian para komisioneve për Punë të Jashtme dhe të Mbrojtjes së Parlamentit dhe Senatit, transmeton Klankosova.tv.

Ndonëse tema e bisedës ishte kriza mes Izraelit dhe Libanit, ministri Crosetto pranon se ai shqetësohet edhe për zhvillimet në një kuadrat “shumë më afër Italisë, në anën tjetër të Adriatikut, në Ballkan”.

“Po jetojmë në kohë komplekse edhe në këto zona”, u shpreh ministri italian.

“HuffingtonPost” shkruan se “konflikti i harruar i Kosovës është në rrezik të rindezjes”.