Haziri për kthimin e Osmanit në LDK: Nëse ajo shikon mbrapa për një parti, është Lista Guxo

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për mundësinë e kthimit të presidentes Vjosa Osmani në partinë në të cilën ishte dikur.

Haziri tha se Osmani është presidente e vendit dhe është në kulmin e karrierës së saj politike, teksa tha se një njëri që është në majën e institucioneve të një Republike, sheh edhe për mandatin e dytë.

“Një njeri i cili është në majën e institucioneve të një Republike dhe në mandatin e parë e ka edhe një vit e gjysmë, ajo sheh për mandatin e dytë, nuk sheh mbrapa për kthim në parti politike dhe as nuk sheh mbrapa për t’u parë diku tjetër”.

“Nëse sheh mbrapa për një parti politike është Lista Guxo, krijesë që zonja Osmani e ka ndërtuar me të cilën ka hyrë në listën e LVV-së dhe ka arritur këtu ku është”, tha Haziri për gazetën Blic.

Më tej, ai tha se LDK-ja ka qenë rruga në të cilën, sipas tij, Osmani e ka ndërtuar karrierën politike, duke qenë në zyrën e presidentit Fatmir Sejdiut, kabinetin e Isa Mustafës, deputete dhe nënkryetare e LDK-së.