Dita e Bashkimit të Gjermanisë, Haradinaj thotë se është ndër aleatët më të palëkundur

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Gjermania ka qenë një nga aleatët më të ngushtë dhe të palëkundur të Republikës së Kosovës.

Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

“Në këtë ditë të rëndësishme për popullin dhe shtetin gjerman, dua t’i shpreh urimet më të përzemërta Republikës Federale të Gjermanisë dhe të gjithë qytetarëve të saj për Ditën e Bashkimit”, uroi Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se populli dhe qeveria gjermane kanë qëndruar pranë nesh në momentet më të vështira.

“Gjermania ka qenë një nga aleatët më të ngushtë dhe të palëkundur të Republikës së Kosovës, duke ofruar gjithmonë mbështetje të sinqertë dhe të vazhdueshme për zhvillimin tonë demokratik, ekonomik dhe social. Populli dhe qeveria gjermane kanë qëndruar pranë nesh në momentet më të vështira, duke na ndihmuar për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për të gjithë qytetarët tanë”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se Kosova duhet ta forcojë partneritetin me Gjermaninë.

“Jemi përjetësisht mirënjohës për këtë mbështetje të paçmuar dhe shpresojmë të vazhdojmë të forcojmë partneritetin tonë të qëndrueshëm në vitet që vijnë”, përfundoi ai.