Tension në hyrje të Kuvendit - deputetët e PD-së djegin manekinët me fotot e Ramës, Xhafajt dhe vëllezërve të tyre

Deputetët e Partisë Demokratike kanë vendosur në hyrjen e parlamentit katër manekinë të veshur me rroba të burgosurish, me portretet e kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama, si dhe deputetit të PS Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij Geron Xhafaj.

Pasi i pozicionuan në hyrjen qendrore të parlamentit, manekinët u spërkatën me benzinë dhe më pas u dogjën nga deputeti Flamur Noka.

Duket se simbolika e protestës së PD-së në parlament dhe këtë të enjte është sërish zjarri.

Pas djegies së karrigeve ditën e hënë, deputetët e opozitës zgjodhën të digjnin manekinët me portretet e politikanëve të PS-së, të cilët ata i akuzojnë se vëllezërit e tyre janë të përfshirë në trafikun e drogës.

Kjo seancë plenare u shoqërua me debate dhe përplasje të forta fizike mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.

Deputetët e përjashtuar të PD-së, së bashku me kolegët e tyre, bllokuan këtë të enjte hyrjet e parlamentit, duke penguar socialistë të hyjnë në sallë.

Përplasjet u përshkallëzuan deri në konfrontime fizike mes deputetëve të të dy kampeve politike.

Fillimisht, ministri i Financave Petrit Malaj, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, dhe ministri Igli Hasani u penguan nga deputetët e PD-së, çka solli ndërhyrjen e gardës.

Përplasje pati edhe pranë derës së Kuvendit midis deputetit të PD-së Flamur Noka dhe deputetëve socialistë, Frrok Gjini dhe Paulin Sterkaj.

Por socialistët hynë më pas nga dyert dytësore dhe seanca plenare nisi me vonesë.