Punëtorët e arsimit në Viti nesër protestojnë para Qeverisë

Punëtorët e arsimit nga komuna e Vitisë nesër nga ora 11:00 pritet të protestojnë para Qeverisë së Kosovës.

Shkak për këtë hap është mosdalja e pagave për muajin shtator.

Kështu bëri të ditur Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut.

“Dje isha për vizitë në komunën e Vitisë, ku bashkë edhe me shoqatat e tjera sindikale u takuam edhe me kryetarin Sokol Haliti, i cili dukej i shqetësuar lidhur me gjendjen. Pas diskutimeve ramë dakord që t’i japim kohë edhe sot institucioneve përkatëse për zgjidhjen e kësaj çështje. Derisa nesër nga ora 11:00 parashihet që të mbahet një protestë para Qeverisë nga punëtorët e sektorit të arsimit në Vitisë”, tha Jasharaj për Klankosova.tv.

Ai i bëri thirrje Qeverisë që të gjejë zgjidhje për pagat e mësimdhënësve vitias.

“Pavarësisht gjendjes buxhetore të Vitisë unë iu bëj thirrje që të gjendet zgjidhje në të kundërtën nga e hëna kam frikë se do të shkohet me masa sindikale siç është greva, ku pritet që edhe punëtorët e arsimit nga rajonet e tjera të solidarizohen me kolegët e tyre, me format dhe mundësitë që kanë”, shtoi ai.

I pari i SBASHK-ut shtoi se është detyrë e institucioneve që të gjej zgjidhje për ta tejkaluar këtë situatë.