Hapet panairi më i madh shqiptar “Global Albanian Gastronomy Festival”

Në Berlin filloi panairi më i madh i tregtar shqiptar “Global Albanian Gastronomy Festival”.

Inaugurimi i këtij panairi ishte një ngjarje madhështore, e cila tërhoqi më shumë se 1000 vizitorë dhe ekzibitorë dhe mbi të gjitha bëri bashkë shqiptarë nga të gjithë trevat dhe gastronomë nga e gjithë bota për të treguar potencialin tonë kulturor dhe ekonomik.

“Teksa në Berlin pritet 10-vjetori i ‘Open Ballkan’, 110 kompani ekzibitore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi treguan se janë gati për tregun evropian me produktet dhe shërbimet e tyre cilësore. GAG Festival, përgjatë 2 dhe 3 tetorit, përveç panairit tregtar do të ketë 50 panelistë, 10 cooking show, 1 mbrëmje gala dhe një ceremoni të ndarjes së çmimeve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, inaugurimi u nderua me praninë e figurave të rëndësishme politike shtetërore, të cilët ndanë mesazhe frymëzuese për potencialin e gastronomisë shqiptare dhe impaktit të saj në gastrodiplomaci dhe gastroturizëm.

Ndër ta ishin, Vjosa Osmani, presidente e Republikës së Kosovës; Florian Hauer, sekretar permanent për Çështje Federale dhe Evropiane në Shtetin e Berlinit, Igli Hasani, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut; Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Republikën e Kosovës.

“Pas fjalimeve frymëzuese, dita vazhdoi me katër panele të ndryshme që trajtuan tema të rëndësishme për “Agroturizmin Shqiptar – mundësitë për të investuar në Shqipëri dhe Kosovë”, për “Potencialin Kapitalit të Diasporës Shqiptare në Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor”, për Historitë Frymëzuese të Gastronomëve Shqiptarë kudo në botë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, një vëmendje e veçantë iu kushtua shkollave profesionale, të cilat luajnë një rol kyç në formësimin e të ardhmes së sektorit të gastronomisë shqiptare.

“Në një skenë paralele kuzhinierë të ndryshëm nga trevat shqiptare performonin ‘Cooking Shows’. Gjithashtu, u inaugurua edhe në Berlin, gati për t’i eksportuar jashtë vendit edhe Bar’i Modular i gjithi ‘Made in Kosova’. Ky panair jo vetëm që promovoi kuzhinën shqiptare, por gjithashtu e shndërroi Berlinin në një qendër të kulturës dhe traditave shqiptare për një ditë, duke e bërë atë të flasë shqip”, theksohet në njoftim.